Suedia ka vendosur një ligj të ri, i cili lejon gjyshërit të paguhen për kujdesin ndaj nipërve dhe mbesave të tyre deri në tre muaj në vit.
Ky vendim vjen pasi parlamenti suedez miratoi dhjetorin e kaluar propozimin e qeverisë për transferimin e ndihmës prindërore. 50 vjet më parë shteti skandinav u bë i pari në botë që prezantoi “lejen prindërore” me pagesë për baballarët dhe jo vetëm për nëna
Sipas ligjit, prindërit mund të transferojnë një pjesë të ndihmës së pushimit prindëror te gjyshërit e fëmijës. Një çift mund të transferojë një maksimum prej 45 ditësh tek të tjerët, ndërsa një prind i vetëm mund të transferojë 90 ditë, sipas Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, një agjenci qeveritare që administron sistemin e sigurimeve shoqërore.
Ky vend skandinav prej 10 milionë banorësh, i njohur për sistemin e tij të mirëqenies sociale të financuar nga taksapaguesit, ka ndërtuar ndër breza një shoqëri ku qytetarët kujdesen nga lindja deri në frymën e fundit.
Në Suedi, ju keni të drejtë të mos punoni asnjë orë kur bëheni me fëmijë. Përfitimi prindëror paguhet për 480 ditë, ose rreth 16 muaj, për fëmijë. Prej tyre, kompensimi për 390 ditë llogaritet bazuar në të ardhurat e plota të një personi, ndërsa për 90 ditët e mbetura, njerëzit marrin një shumë fikse prej 180 korona (17 dollarë) në ditë.
Ka edhe përfitime të tjera për prindërit në Suedi – ata gjithashtu mund të punojnë me orë të reduktuara derisa fëmija të mbushë 8 vjeç, ndërsa punonjësit e qeverisë mund të punojnë me orë të reduktuara derisa fëmija të mbushë 12 vjeç.
Megjithatë, rregullat për gjyshërit janë të njëjta si për ndihmën e zakonshme prindërore dhe kërkojnë që një person të jetë i siguruar për ndihmën prindërore, siç janë shumica e njerëzve në Suedi.
Ekzistojnë kushte për ndihmën prindërore – një pensionist mund të marrë gjithashtu leje prindërore, për shembull, në të cilin rast kompensimi bazohet në pensionin e personit. Një person nuk mund të kërkojë punë gjatë kohës që merr ndihmë prindërore.
Në vitin 1974, Suedia zëvendësoi lejen e lehonisë me leje prindërore për të dy prindërit. Në atë kohë, i ashtuquajturi sigurim prindëror u mundësonte prindërve të merrnin gjashtë muaj pushim nga puna për fëmijë – me çdo prind të drejtën për gjysmën e ditëve.
Megjithatë, pas kësaj lëvizjeje, sipas Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, baballarët e morën vetëm 0.5% të lejes prindërore me pagesë. Sot, baballarët në Suedi marrin rreth 30% të lejes prindërore të paguar.